|

|
Gjirokastra
ndodhet në luginën e lumit Drino, i cili rrjedh mes
maleve madhështore të Lunxhërisë në lindje dhe Malit të
Gjerë në perëndim. Qyteti me popullsi 35 000 banorë,
është qendra ekonomike e administrative e rrethit me të
njëjtin emër, që përfshin edhe qytetin e Libohovës, si
dhe komunat Antigone, Dropull i Poshtëm, Dropull i
Sipërm, Lazarat, Lunxhëri, Odrie, Picar, Pogon, Libohovë
Qendër dhe Zagori. Shumica e popullsisë është shqiptare,
por ka një pakicë greke, si dhe komunitete të vogla me
vllehë dhe romë.
Gjirokastra ishte një qendër e rëndësishme administrative e
shekullit XIX, e populluar nga pronarë tokash që u kishte xhepi
të ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti ka
mbi 500 ndërtesa historike. Veçoritë e jetës së kohës në
Shqipëri lanë gjithashtu gjurmë në arkitekturën e tyre:
nevojiteshin strukturat mbrojtëse, sepse shqiptarët herë pas
here luftonin kundër njeri tjetrit; për më tepër ata
rebeloheshin kundra Portës së Lartë në Stamboll. Duhej një vend
i sigurt edhe për bagëtinë në dimër; duhej dhe vendi për të
rezervuar ujin për gjatë muajve të thatë të verës. Katet
përdhese të kullave ishin edhe struktura mbrojtëse edhe magazina
të shtëpisë. Ndërsa katet e sipërme shprehnin mikpritjen
gjirokastrite, kulturën dhe mënyrën e jetesës së tyre; por,
përmes interierëve të pasur, edhe rangun e pasurinë e të zotëve
të shtëpisë. Herë-herë kjo e fundit duket sikur tejkalon dukshëm
edhe vetë funksionin mbrojtës të shtëpisë |