|
Vlora
- historia
Fletet e Verdha -
Vlore - ne Flete te Verdha |
Vlora në lashtësi quhej Aulona.
Ajo përmendet nga shumë udhëtarë dhe kronikanë të huaj, si një
nga qytetet - skelë kryesore të Ilirisë së Jugut, që lulëzoi pas
rënies së Apollonisë dhe Orikut.
Emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografike të bregdetit
lindor të Adriatikut që i ka qëndruar kohës qysh nga lashtësia.
Në bregdetin e banuar sot nga popullsia shqiptare, ky emër
gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ato të
Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografik nuk
do t'i kishin rezistuar kohës në rast se vendbanimet e emërtuara
prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi përdorimi në
radhë të shekujve… Një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të
banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t'i rezistonte
proçesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu
pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik", nënvizon në
studimet e veta akademiku Prof. Shaban Demiraj.
Sipas materialeve arkeologjike, dëshmohet se në bregdetin e
Vlorës, ashtu edhe në prapavijën e tij, për vendbanime
parahistorike e zhvillime ekonomike-kulturore të shumë qytezave
e qendrave urbane dallohej karakteri i tyre fortifikues-mbrojtës.
Të tilla janë ato të "Shpellave të Velçës", "Shpellave të
shkruara të Lepenicës" (nga më të rrallat në Ballkan e Mesdhe),
"Shpellat e Spilesë" (Himarë) apo "Mozaikët e Mesaplikut",
pasuri e rrallë kombëtare. Vendbanimet tumulare të Vajzës,
Dukatit, Mavrovës, "Pitosa" të Mallkeqit tregojnë për
autoktoninë dhe vazhdimesinë etno-kulturore të ilirëve në
periudhën e bronxit dhe të hekurit.
E njëjta gjë dëshmohet edhe në vendbanimet e tjera të lashtësisë
që janë qytete-kala si Amantia, Olympia, Kanina, Himara, Cerja,
Armeni, Hadëraj, Triporti dhe vet Vlora (Aulona) etj.
Amantia, e themeluar në shek. V p.e s., është një nga qytetet e
pakta të Ilirisë jugore që ka pasur jetë 1000 vjeçare, ku spikat
më shumë ndërtimi në terren malor i stadiumit antik madhështor,
i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh.
Në jug të qytetit të Vlorës gjendet qyteti i Orikumit, i cili ka
qenë një nga portet më të lashte të bregdetit të Vlorës, i
themeluar si vendbanim në shek. VI-V p.e s.
Oriku u bë port i fortifikuar, bazë e rëndësishme ushtarake në
Adriatik dhe në shek. II-I p.e.s ishte kantier i rëndësishëm
detar për ndërtim e riparim anijesh, gjë që favorizohej nga
prania e madhe e pyllit me pisha të Llogarase dhe Sera e
Selenicës. Në shek.I p.e.s. Oriku shërbeu si kryeurë e fuqive
pushtuese të kohës, arenë luftrash midis Romës, Maqedonisë dhe
Ilirisë, si dhe në luftën rivale midis Çezarit e Pompeut që i
solli Orikut shumë shkatërrime. Në shek.II p.e.s., Oriku u godit
nga një tërmet i fuqishëm dhe u shkatërrua duke e humbur
rëndësine e tij, pa mundur të rimbëkëmbej më. Ishte pikërisht
koha kur në gjirin e Vlorës del në pah një tjetër qytet-Skelë,
që ishte "Aulona - Vlora e sotme". Dëshmi arkeologjike e
lashtësisë dhe autoktonisë është edhe vetë simboli i saj - "Vajza
aulonase", një skulpturë "hyjnesh" 87 cm., e gdhendur nga
mjeshtër vendas me gurin gëlqeror të Kaninës, që simbolizon
veshjen e grave ilire.
Emrin e qytetit - Skelë të Aulonës së lashtë e gjejmë të
përmëndur në shek.II e.s., nga shkrimtari Lukani dhe nga
gjeografi Aleksandrin Ptolemeu. Këto të dhëna burimore përputhen
me të dhënat e tjera të përafërta, siç janë dëshmitë
arkeologjike për një kështjellë, port e bankinë të madhe (kështjella
e Jangjeçit, Triport), që kanë ekzistuar ndoshta kur lumi Vjosa
e kish grykëderdhjen aty në Lagunën e Nartës. Por,ndoshta kur
Vjosa u largua në drejtimin verior,Triporti humbi mundësinë dhe
rëndësinë. Pikërisht në këtë kohë duhet të ketë origjinën Aulona
port i spostuar në JL, e cila del si skelë - qëndër tregëtare -
dhe Kanina - qëndër administrative - ushtarake në shek. VI e.s.
Fakti që në shek.V-VI e.s., ka pasur në Vlorë edhe një peshkop,varur
nga metropoliti i Durrësit, tregon se Aulona ka qenë vendbanim
me rëndësi. Këtë e mbështet edhe zbulimi i viteve të fundit i
traktatit të murit rrethues mbrojtës, fortifikues në qëndër të
qytetit të sotëm të Vlorës (pranë monumentit të Pavarësisë) si
dhe zbulimi i disa dëshmive të reja për ekzistencën e molit të
vjetër, në afërsi të stacionit të trenit.
Gërmimet e fundit në Kaninë dhe Himarë kanë dhënë dëshmitë e
tjera për kulturën ilire të antikitetit të vonë dhe mesjetës së
hershme, për autoktoninë dhe vazhdimesinë iliro-arbërore dhe
mesjetare shqiptare. Në shek. VI e.s., dhe vazhdimisht gjatë
mesjetës, Aulona përmëndet në listën e qyteteve bregdetare si
port i rëndësishëm, me detari të zhvilluar, që tregëton vaj
ulliri, kripë, valanidh, lëndë drusore, ullinj si dhe panairet
që bëheshin në afërsitë e Vlorës, ashtu edhe në vende të
ndryshme të Europës. Edhe në grykën e Vjosës ishte skela e
Spinaricës, ku zhvillohej tregti dhe aty ishin të pranishëm edhe
konsuj tregtarë të Raguzës, Venedikut etj.
Në mesjetë Vlora dhe viset e saj ranë nën pushtimin normand më
1081, më pas nën pushtimin e Venedikut më 1205 dhe atë të
sundimit të Hohenstaufenëve gjerman, siç e përshkuan edhe
Jireçeku në studimin e tij.
Si një qëndër e zhvilluar dhe e kulturuar Vlora shfaqet edhe në
mbrëtërinë e Arbërisë më 1272, ku kronikat e kohës shënojnë
lulëzimin e zejtarisë, tregëtisë, blegtorisë dhe pemtarisë, të
përfshirë si despotat më vete.
Një rol të madh në jetën politike, ushtarake e shoqërore të
Vlorës, ka lozur edhe familja e madhe Arianitët, të cilët
përmënden në shek.XI, nëpërmjet të parit të tyre Arianit Komnen
Golemi Topisë, sidomos në shek. XV-XVI. Një nga figurat e
shquara të shek.XV është Gjergj Arianiti, i cili organizoi
qëndresën kundër pushtuesve osman më 1431-1432 e më pas në
grykat e Labërisë. Me bëmat e tij, Gjergj Arianiti mori
përgëzimet e Fuqive të Mëdha të Europës të asaj kohe. Edhe pse
ishte aleat me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe vjehrri i tij,
pasi Donika, e bija e tij u martua me Skënderbeun, Gjergj
Arianiti ishte i pavarur në zoterimet e tij në jug dhe në
Shqipërinë e Mesme. Në Kuvendin e Lezhës, më 2 Mars 1444, për
t'i bërë ballë rrezikut të pushtimit osman, Gjergj Arianiti u
rradhit ndër të parët krerë sundimtarë shqiptarë, në këtë lidhje
ushtarake mbarëkombëtare. Në shek.XV-XVI pushtuesit osman e
kthyen portin e Vlorës në një nyje të rëndësishme të Adriatikut
për pushtimin e Italisë.
Në regjistrin turk të vitit 1520 shënohen 701 familje vendase
dhe 531 familje çifute. Kjo dëshmon për një klimë paqësore e
tolerancë ndaj çifutëve në qytet në një kohë kur gjetke ata
persekutoheshin egërsisht. Kështu qyteti përmblidhte 6300-6500
banorë. Nga Vlora u nisën fuqitë ushtarake osmane kundër Italisë
së Jugut, më 1480, kundër kryengritjes së himarjotëve më 1492
dhe shërbeu si bazë e sulltan Sulejmanit kundër Korfuzit, më
1537. Po në këtë vit u ndërtua kështjella e qytetit (aty ku sot
ndodhet stadiumi "Flamurtari"), gurët e së cilës u morën nga
kështjella e Jangjeçit në Zvërnec dhe nga muri rrethues i
Aulonës.
Në shek.XVII-XVIII Vlora ishte një nga limanet më të rëndësishëm
të Shqipërisë së Jugut, pas Prevezës, pasi gjiri i saj u
siguronte anijeve mbrojtje nga stuhitë. Në skelën e Vlorës ishin
ndërtuar depo të mëdha për grumbullimin e prodhimeve buqësore e
blegtorale të fshatarësisë, ku përfshiheshin zona e Beratit,
Gjirokastrës dhe Myzeqesë. Në eksportin e tij ky qytet
zhvillonte tregti më Triesten, Venedikun, Vjenën, Korfuzin,
Stambollin, Izmirin, Breshian, Barin, Manastirin, Janinën,
Maltën e Qipron. Në portin e Vlorës hynte rregullisht çdo javë
vapori austriak "Lloid" dhe ai italian "Pulja", të cilët vetëm
për vitin 1904 kishin kryer respektivisht 224 dhe 181
hyrje-dalje. Vlora eksportonte: vaj ulliri - 20.000 fuçi, ullinj
të vjelur - 11.000 barrë, kripë - 1.5 milion kilogram, lesh të
palarë - 15.000 okë, lëkurë qengji e lepuri - 20.000 copë,
breshka - 40.000 copë, shushunja, shpende, dele, kuaj, mish të
therur, peshk të kripur, vezë peshku, serë, asfalt, misër,
tërshërë, thekër, fasule, dru zjarri, valanidh, mjaltë të bardhë
Kanine, verë të Nartës dhe verë "Vlosh" të Vlorës.
Një artikull i kërkuar ishte edhe stralli i gurores së
Drashovicës, që përgatitej me blloqe dhe ashkla. Për eksport,
gëzofet prej lëkure, velenxat dhe brucat labe ishin artikuj
mjaft të preferuar për Istrien, Triesten dhe vendet alpine...Ulliri
i markës "Vlonjak", që ishte më i lashtë se marka italiane dhe
frënge, dallohej për prodhueshmëri të lartë, vaji dhe regjie
lëkure. Në vitin 1900 Vlora regjistronte mbi 100.000 rrënjë
ullinj.
Vlora njihet si një vatër e rëndësishme e patriotizmit ndër
shekuj, ku përpjekjet për liri, pavarësi dhe prosperitet kanë
qenë në shpirtin e çdo vlonjati.
Luftrat kundër pushtimeve të huaja dhe përpjekjet për përhapjen
e arsimit shqip bënë që në Vlorë të krijoheshin shumë shoqëri
patriotike.
Në vitet 1908-1912 klubi "Labëria" u bë një vatër e ndezur e
përpjekjeve për pavarësinë e vendit dhe luftën kundër pushtuesve
xhonturq. Kryetar nderi i këtij klubi atdhetar ishte Ismail
Qemali. Çelja e shkollës shqipe të Muradies (7 Gusht 1908) ishte
një ngjarje e shënuar në jetën arsimore të Vlorës.
Por ngjarja më kulmore e qytetit të Vlorës ishte 28 nëntori 1912
kur plaku i urtë e diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku
me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme të vendit, shpalli
pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht ngriti flamurin
kombëtar në Vlorë. Kështu Vlora u bë kryeqyteti i parë i
Shqipërisë së pavarur.
Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua nga imperializmi italianë.
Pas zgjerimit të pushtimit italian nisi rezistenca kundër
pushtuesve. Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjes, u krijuan
Komiteti "Mbrojtja Kombëtare" me kryetar Osman Haxhiun, i cili
organizoi forcat luftarake në Luftën e Vlorës. Lufta e Vlorës
është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve. Vlora u
kthye në "Termopilet" e Shqipërisë, siç thoshte patrioti Halim
Xhelo.
Në vitet 1920-1924 Vlora u përfshi në rrjedhën e proçeseve të
demokratizimit të jetës së vendit. Këtu u krijua Federata
"Atdheu" (1921) dhe dega e shoqërisë "Bashkimi" (1922). Një rol
të madh në këto vite ka lozur edhe shtypi me gazetat "Politika",
"Mbrojtja Kombëtare", "Fjala e Lirë", "Shpresa Kombëtare" etj që
botoheshin në Vlorë.
Në Luftën e Dytë Botërore Vlora u bë një nga vatrat e
rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër
pushtuesve nazifashist. Ajo mbajti një barrë të madhe të Luftës
dhe kontributi i saj ishte i shquar.
|
|
|
| |
 |
| |
|
 |
| |
|
|
|
|
| |
Trademark dhe Patenta
Albania te Fletet e Verdha
Ketu do te gjeni mbi
10000 Trademark e 2000 Patentat e regjistruara te Drejtoria e Markave e
patentave ne Shqiperi...
Search Marka e Patenta |
|

EuroPages Products
- Euro pages e Fletet e Verdha
Kerkon nje kompani ne
Europe : web site Europages |
 |